Kopertina-libri-historia-Arkitektures -624x421

LORETA ÇAPELI
HISTORIA E ARKITEKTURËS
REFLEKSIONE ANALITIKE II
Botime Pegi

I ndërtuar si një komunikim i drejtpërdrejtë me lexuesin ky libër i drejtohet studentëve të shkollave të arkitekturës e të artit, por jo vetëm, për ti dhënë atyre njohuri bazë të eksperiencave më të bukura projektive që historia na ofron. Të mësosh historinë e arkitekturës nuk do të thotë të ndjekësh vetëm kronologjikisht rrjedhën e gjuhës arkitektonike të zhvilluar në stile, por edhe të analizosh objektin e projektin e tij, në mënyrë që të mund të kuptosh përse dhe si u arrit në të.

Pas çdo vepre të rëndësishme arkitektonike fshihet një proces teorik, analitik e deduktues i një seri kushtesh të vendosura nga detyra e projektimit, por jo vetëm. Sfondi social, politik, vëndi ku ndërtohet dhe kushtet e zhvillimit të teknikave të ndërtimit në kohë, do të bëhen gjithmonë vendimtare për ti dhënë formë projekteve më të bukur, të denjë për të hyrë në histori. Mënyra e analizës kritike që libri rekomandon, është një shtysë për studentët që ftohen të shohin jo vetëm veprën, ashtu si ajo arrin në ditët tona, por edhe të imagjinojnë e kuptojnë këtë proçes deduktues e analitik që arkitekti ka ndjekur. Nga shikues pasivë të veprës arkitektonike, apo nga ripërsëritës mekanikë të karakteristikave të stileve që Historia e Arkitektures  ka shkruar në shekuj, ato duhet të kthehen në vëzhgues aktivë të produktit projektiv, duke tentuar të kuptojnë përsenë e mënyrës së kompozimit të formës e volumit. Kjo eksperiencë analitike e kritike do ti shërbejë në mënyrë të drejtpërdrejtë formimit të tyre si arkitektë, e do ti ndihmojë që në të ardhmen të ndjekin të njëjtën rrugë të suksesshme projektive për të arritur në realizimin e veprave të bukura arkitektonike, të denja për të hyrë në Histori. Ky libër ndalet në veprat më të spikatura arkitektonike të projektuara në një periudhë kohore nga shek. XV nëshek. XVIII në Evropë. Pa marrë përsipër të trajtojë çdo objekt të ndërtuar në atë kohë, si në një material didaktik, janë seleksionuar objektet më të bukur e më të përshtatshëm, që ndihmojnë për të kuptuar arkitekturën dhe karakteristikat stilistike e tipollogjike. Pas përvetësimit të këtij materiali lexuesi vetë do të jetë në gjendje të analizojë e komentojë çdo vepër tjetër të të njëjtës natyrë e gjuhë arkitektonike, cilado qoftë ajo apo kudo që të ndodhet.