Historia & Fakte

Tradita prej vitit 1969

 

Në vitin 1951 u krijua Instituti Politeknik i Tiranës. Kjo datë shënon edhe fillimet e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Në atë kohë, në strukturën e Institutit të Lartë Politeknik bënin pjesë tri drejtime: Ndërtim, Mekanik dhe Elektrik. Në vitin 1957, Instituti Politeknik shndërrohet në Universitetin e Tiranës. Pranë këtij universiteti u strukturua Fakulteti i Inxhinierisë në përbërje të të cilit ishte edhe Dega Ndërtim. Fillimisht, studentët formoheshin në këtë degë si Inxhinierë, e më vonë me titullin Inxhinier – Arkitekt. Për herë të parë në vitin 1969 filluan studimet për Arkitekturë, që në vitin e parë. 24 studentët e parë u pranuan  pasi kaluan një konkurs pranimi. Ky ishte brezi i parë me titullin Arkitekt që u diplomua në vitin 1974. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit u krijua ne vitin 1983 në kuadrin e Universitetit të Tiranës. Dega Arkitekturë u bë pjesë e këtij fakulteti. Më pas, në vitin 1984, Katedra e Urbanistikës u nda nga ajo e Arkitekturës. Në vitin 1993 u krijua Departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili ishte funksional deri në fillim të vitit 2013.

Në Janar të vitit 2013, me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 28, datë 31.01.2013 u krijua Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili mbart mbi vete traditën dhe përvojen dhjetravjeçare të Universitetit Politeknik të Tiranës në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës. Sot ky fakultet ofron një paketë të plotë akademike me studime në të treja ciklet.

Për herë të parë në vitin 2009 u miratuan Studimet e Doktoraturës në Arkitekturë dhe Urbanistikë me VKM Nr. 1116, dt. 13.11.2009. Ky nivel studimi u ofrua për herë  të parë në Shqipëri nga FAU.

Në vitin 2016 u miratuan dy programe të reja studimi; Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn si dhe Master Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture.

Në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, ndër vite kanë kontribuar emra të rëndësishëm të arkitekturës shqiptare si Besim Daja, Enver Faja, Ilia Papanikolla, Tamara Eftimi, Agim Myftiu, Miriam Bubsi etj.

 

FAU në shifra

  • 51 vite aktivitet në formimin e brezave të arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë
  • mbi 1600 të diplomuar deri më sot
  • 109 të diplomuar në vitin akademik 2014-2015
  • mbi 1500 studentë ndjekin studimet sot në programin e studimeve master shkencor
  • 210 studentë janë pranuar për here të pare në vitin akademik 2015-2016
  • 120 pedagogë japin mësim në auditoret e FAU në programet master shkencor dhe ato të doktoraturës