Marrëdhëniet

Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës është i hapur kundrejt institucioneve dhe organizmave kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe kundrejt komunitetit profesional. Ky dimension reflektohet gjerësisht në programet e studimit, përbërjen dhe kurrikulat e stafit akademik, studentët dhe shkëmbimet intensive dhe të larmishme me partnerë të ndryshëm, si në kuadrin e aktiviteteve kërkimore e didaktike ashtu edhe në mobilitetin në nivel stafi akademik e studentësh. Vëmendje e veçantë i kushtohet zgjerimit të rrjetit të partnerëve, jo vetëm me institucione ndërkombëtare e lokale të sektorit arsimor, por edhe me aktorë të ndryshëm nga komuniteti i biznesit, shoqata e organizata profesionale, organizma qeveritare e jo qeveritare.

Programet e Studimit Master dhe sidomos programi i Studimeve të Doktoraturës dëshmojnë një shkallë të lartë bashkëpunimi konkret të FAU-t në nivel ndërkombëtar. Duke ofruar këto programe në bashkëpunim me Universita degli studi di Firenze, Politecnico di Bari dhe sidomos me ESTP-Paris, sigurohet një shkallë e lartë e shkëmbimit të njohurive, metodave të mësimdhënies, përvojave praktike, mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve në të dy drejtimet.

Në vitet e fundit janë realizuar projekte e programe të përbashkëta me fakultete apo shkolla të huaja për tema të ndryshme me perfshirjen e disa disiplinave si: arkitektura, planifikimi, dizajni urban, restaurimi, mjedisi, fotografia, peizazhi, inxhinieria e konstruksioneve etj.