Dr. Nada Ibrahimi

Nada Ibrahimi përfundoi studimet në degën Arkitekturë pranë Universitetit Politeknik të Tiranës në vitin 2010. Prej vitit 2022 mban gradën Doktor i Shkencave në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës, me një disertacion të fokusuar në neuroarkitekturë, të orientuar drejt përdorimit të matjeve cerebrale si instrument analitik për dizajnin emocional të mjedisit të ndërtuar.

Gjatë periudhës 2011–2025 ushtroi veprimtarinë profesionale në administratën vendore pranë Bashkisë së Tiranës, fillimisht si arkitekte dhe planifikuese urbane, e më pas si përgjegjëse e sektorit të Planeve të Detajuara Vendore, duke konsoliduar një përvojë të drejtpërdrejtë mbi dinamikën e territorit dhe transformimin urban.

Paralelisht, duke ndërthurur praktikën institucionale me aktivitetin akademik, ka bashkëpunuar për një periudhë të gjatë në cilësinë e lektores dhe pedagoges së ftuar me Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, Universitetin Metropolitan Tirana, si dhe me Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit në programin Master Profesional në Arkitekturë Peizazhi. Veprimtaria e saj akademike përfshin botime shkencore, pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe prezantime në ekspozita në rolin e autores dhe bashkëautores.

Prej vitit 2025 është e angazhuar si pedagoge me kohë të plotë pranë Departamentit të Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Interesi i saj akademik përqendrohet në perceptimin e hapësirës dhe në marrëdhënien ndërmjet konfigurimit arkitektonik dhe përvojës njerëzore, duke i konceptuar disiplinat projektuese si procese që shkojnë përtej dimensionit funksional dhe estetik.

Mësimdhënia:

  • Grafikë Arkitektonike
  • Kompozim, analiza e formës dhe hapësirës
  • Studio 7