Dr. Arba Baxhaku

Dr. Arba Baxhaku është pjesë e stafit akademik të brendshëm në Departamentin e Arkitekturës, pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku mbulon lëndët Studio Projektimi 5 dhe Studio Projektimi 6. Në këtë rol, ajo udhëheq studentët në përballjen me proceset komplekse të projektimit arkitektonik.

Formimin e saj akademik e ka përfunduar në Universitetin e Firences, Itali, ku është diplomuar në Arkitekturë me vlerësimin maksimal cum laude, si dhe ka mbrojtur gradën shkencore Doktor (PhD). Ky formim ndërkombëtar përbën bazën e një veprimtarie kërkimore dhe profesionale të karakterizuar nga një dialog i vazhdueshëm ndërmjet teorisë dhe praktikës së projektimit.

Në qendër të qasjes së saj qëndron koncepti i “ri-shkrimit” të arkitekturës ekzistuese, i kuptuar si një proces interpretimi kritik që vendos në dialog të përhershëm të kaluarën me modernitetin. Ky vizion synon të identifikojë dhe artikulojë pikëtakimet midis formalizmit funksionalist të qytetit totalitar dhe lirisë konstruktive të arkitekturës informale, një tematikë që ajo e ka trajtuar në mënyrë të thelluar në monografinë dygjuhëshe Identitete pluskuese / Floating Identities(2021).

Ndër kontributet e saj shkencore spikat vëllimi i botuar në vitin 2019, Ombre del Mediterraneo, Alla periferia dell’Adriatico (Hijet e Mesdheut, Në periferi të Adriatikut), ku ajo është bashkautore, së bashku me Claudia Cavallo. Ky vëllim eksploron përvojat e dy projekteve të zhvilluara në brigjet përkundruall të detit Adriatik, në rajonin e Marche-ve në Itali dhe në Zadrimë të Shqipërisë, duke analizuar dy hapësirat e braktisura që lidhen përmes gjurmëve materiale dhe simbolike të rrënojave të tyre.

Përvoja e saj profesionale shquhet për ndërthurjen e kërkimit shkencor dhe praktikës kuratoriale me projektimin arkitektonik. Në këtë kontekts, ajo është angazhuar në projektet e muzealizimit të Shtëpive Studio “Kadare” dhe “Agolli”, nën drejtimin e arkitektes Elisabetta Terragni. Këto hapësira, kushtuar kujtesës kolektive dhe studimit të veprës së dy prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe, përfaqësojnë një model më vete, ku praktika projektuese ndërthuret ngushtë me reflektimin teorik mbi trashëgiminë kulturore.