- Kreu
- Këndi i Informimit
-
Njoftime
Leksion i hapur - Arkitektura dhe Ideologjia: Ndërtesat publike në Prishtinë 1945-1990 - Arbër Sadiki
05.03.2026
Organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT
𝐎𝐫𝐚: 𝟏𝟐:𝟎𝟎
𝐃𝐚𝐭𝐞̈: 𝟎𝟗/𝟎𝟑/𝟐𝟎𝟐𝟔
Aula Magna / FAU, UPT
Sheshi “Nënë Tereza”
Një lexim i arkitekturës së ndërtesave publike në Prishtinë (1945–1990) në ndërlidhje me transformimet politike, institucionale dhe urbane të qytetit. Arkitektura e zhvilluar brenda kësaj periudhe, para së gjithash, na obligon që kësaj teme t’i futemi pa kurrfarë paragjykimi.
Ajo duhet parë ashtu siç është, në relacion me kohën, ideologjinë e kulturën, por mbi të gjitha përjetimin njerëzor. Ndërtesat publike të ndërtuara gjatë kësaj periudhe edhe sot janë thelbi i shpirtit prishtinas ngase kanë arritur të krijojnë ndërlidhje me qytetarët e vet. Ato tërheqin vëmendjen. Ato provokojnë. Janë aty. Disa i duan, disa i urrejnë, por askënd nuk e lënë indiferent.
Biografia
Arbër Sadiki (1977) është arkitekt, studiues dhe pedagog me bazë në Prishtinë. Ai u diplomua në Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës (2001) dhe mori gradën Doktor i Shkencave Teknike në Arkitekturë dhe Urbanizëm nga Universiteti i Beogradit (2019). Kërkimi i tij fokusohet në marrëdhëniet ndërmjet kontekstit shoqëror dhe zhvillimit të arkitekturës së Prishtinës gjatë periudhës 1945–1990.
Që nga viti 2001 ai ushtron praktikën profesionale në kuadër të studios G+A Architects, së bashku me Gëzim Sadikun, me projekte të realizuara në Kosovë, Serbi dhe Zvicër. Prej vitit 2011 është ligjërues në Fakultetin e Arkitekturës në UBT në Prishtinë.
Sadiki ka qenë asistent kurator i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e 14-të të Arkitekturës në Venecia dhe ka shërbyer si kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës (2013–2014). Ai është anëtar i ICOMOS dhe Docomomo International, si dhe nominues për Aga Khan Award for Architecture.
Ai ka kontribuar në publikimin dhe ekspozitën “Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980”, prezantuar në MoMA, New York (2018). Në vitin 2020 u nderua me Çmimin Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e Trashëgimisë Kulturore për librin “Arkitektura e Ndërtesave Publike në Prishtinë: 1945–1990, Faktorët Shoqërorë dhe Formësues”. Në vitin 2023 ishte fitues i çmimit ndërkombëtar “Al Fozan Award for Mosque Architecture” për projektin “Mosque in Tupalla”.
