Arkitekturë Interieri & Design
Objektivat formues të programit të studimit
- Të mundësojë formimin profesional në nivelin bachelor, duke formuar specialistë të mirëfilltë e duke përgatitur profesionistë të specializuar në fushat e arkitekturës së interierit dhe të dizajnit.
- Të mundësojë zhvillimin e vlerave të respektit reciprok, bashkëpunimit dhe komunikimit, krijimtarisë dhe inovacionit, shërbimit të komunitetit, arritjes së vlerave dhe përgjegjësive ndaj zhvillimit të vendit.
- Të kontribuojë në rritjen e standardeve të jetesës në ndërtesa shoqërore e private duke tentuar të përgatisë profesionistë për sfidat e reja të zhvillimit të vendit dhe të shoqërisë.
Programi i studimit synon arritjen e niveleve të larta profesionale në zgjidhjen e problemeve të arkitekturës së interierit dhe dizajnit. Gjatë studimit, do të merren njohuri, duke synuar përvetësimin e metodologjive të projektimit dhe të zbatimit të projekteve. Njohuritë teorike do të ndërthuren me aspekte praktike që lidhen me zhvillimet teknologjike, me kërkesat e tregut dhe normat e kodet e projektimit e zbatimit.
Një tjetër objektiv i këtij programi studimi lidhet me identifikimin dhe dokumentimin e vlerave të trashëgimisë, sidomos në fushën e produkteve të përdorimit në masë, duke hulumtuar procesin nga ideimi e deri në prodhim, si dhe duke u fokusuar në marrëdhëniet mes zhvillimeve shoqërore dhe dizajnit.
Programi i Studimit BAID synon që studenti:
- Të fitojë njohuri në lëndët e formimit të përgjithshëm, si matematikë, gjeometri deskriptive, gjuhë e huaj, grafikë dhe CAD, etj. duke qenë në gjendje t’i përdorë këto njohuri në funksion të formimit profesional.
- Të fitojë njohuri të plota në bazat e grafikës dhe vizatimit, ergonomi, kompozim të hapësirës, projektim inteieri, dizajn, materiale ndërtimi, impiantistikë, etj. Përvetësimi i këtyre njohurive do të realizohet lidhur ngushtë me historinë dhe teorinë e artit, arkitekturës, interierit dhe dizajnit.
- Të përvetësoje rregulla dhe parime mbi projektimin ambiental, rinovimin, konservimin dhe restaurimin, vlerësimin ekonomik apo organizimin e punimeve.
- Të aftësohet në komunikimin verbal dhe grafik, të organizojë e drejtojë ideimin, projektimin, realizimin e punimeve apo prodhimin në koordinim me specialistë të tjerë.
Zhvillimi ekonomiko-shoqëror i viteve të fundit, rritja ekonomike, përballja me boten, paraqesin mundësinë e trajtimit të arkitekturës se interierit dhe dizajnit, si disipline me vete, të shkëputur nga projektimi arkitektonik. Kjo disiplinë lidhet me fushat:
- Arkitekturë interieri
- Ruajtje dhe avancim i traditës kombëtare në fushat e mësipërme
- Zbatim i projekteve
- Dizajn grafik
- Dizajn industrial
Nevojat e tregut
Arkitekture interieri:
- Riformulim dhe arredim me trajtim të specializuar i ambienteve të interierit në objekte publike
- Zbatim i projekteve të mësipërm
- Modelim, arredim dhe zbatim i pavijoneve në ekspozita, panaire, etj.
- Arredim dhe trajtim i specializuar i ambienteve të interierit në objekte banimi private
Dizajn i objekteve të arredimit dhe të produkteve të përdorimit në masë:
- Projektim i objekteve të arredimit dhe objekteve të përdorimit në masë
- Prodhim i objekteve të arredimit dhe objekteve të përdorimit në masë
Dizajn grafik:
- Përpunim grafik pranë studiove të arkitekturës apo dizajnit
- Konceptim dhe realizim grafik reklamash, faqosje, postera, etj
Mundësia për thellim të njohurive
- Në përfundim të BAID studenti mund të ndjekë studime të thelluara në programe studimi të ciklit të dyte Master Profesional apo Master i Shkencave (në FAU apo në IAL të tjera vendase dhe të huaja)
- Perspektiva e vazhdimit të studimeve të ciklit të tretë në shkollën e doktoratës pranë FAU apo IAL të tjera (pasi të ketë mbaruar studimet e ciklit të dytë Master i Shkencave)