MSHA- Urbanist

Master Shkencor në Arkitekturë – Profili Urbanist (5 vjeçar i integruar)

Cikli i studimeve Master Shkencor në Arkitekturë – Profili Urbanist ka si objektiv t’u sigurojë studentëve njohuri shkencore në fushat e arkitekturës dhe urbanistikës si dhe zotërimin e njohurive të thelluara profesionale specifike në disiplina të lidhura me to.  Ky program studimi realizohet në një cikël të integruar 5-vjeçar me 300 ECTS. Cikli studimor është i hartuar me një bazë të përbashkët trevjeçare, e cila mundëson specializimin në dy vitet e fundit në profilin Arkitekt dhe Urbanist.

Programi i studimit synon në arritjen e niveleve të larta profesionale dhe shkencore në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me projektimin arkitektonik dhe urban. Për arritjen e këtij objektivi, studenti pajiset me njohuri shkencore të projektimit të tipologjive të objekteve kryesore, që përbëjnë vendbanimet njerëzore, si dhe njohuri të projektimit, planifikimit dhe menaxhimit të zonave urbane.

Në profilin urbanist, studenti pajiset me njohuri shkencore të urbanizimit dhe të problemeve që lidhen me të, duke filluar që nga ambienti, strehimi, infrastruktura, hapësira publike etj.

Studenti njihet me konceptet kryesore ligjore dhe elementet urbanistike për menaxhimin dhe zhvillimin e territorit, si edhe rregullat e zhvillimit dhe të kontrollit mbi përdorimin e tokës.

I rëndësishëm është fakti i njohjes së problemeve që kanë të bëjnë me elemente të projektimit urbanistik duke filluar nga qeliza më e vogël e deri tek qyteti e rajoni, në mënyrë që këto territore të jenë sa më të përshtatshme për njeriun dhe të garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Në programin e studimit, studentit i jepet mundësia të studiojë rregullat e kompozimit arkitektonik, urbanistik dhe hapësinor, me kulturën dhe historinë e zhvillimit urban, në mënyrë që të jetë sa më elastik në mendimet e tij për të zgjidhur problemet e ndryshme apo edhe për të qenë në gjendje të analizojë shkencërisht fenomenet urbane.

Në nivel kombëtar, ky program studimor është më i madhi për nga numri i studentëve dhe më i kërkuari në fushën përkatëse.