armand vokshi

Të dashur studentë,

mirëseerdhët në rrugëtimin drejt profesionit me të bukur që ekziston.
Duke u nisur nga periudha e vështirë e pandemisë që po kalon mbarë njerëzimi dhe me të edhe Shqipëria, së pari shpresoj që ju të gjendeni mirë me shëndet.
Tashmë, sidomos për ju që sapo jeni regjistruar, po fillon një periudhë e re e jetës tuaj, në të cilën shumë gjëra po ndryshojnë, ku veçanërisht jeta juaj ju kërkon të jeni përgjegjës për rrugën tuaj, jo vetëm rrafshin e studimit, por edhe atë profesional, si dhe mbi të gjitha, në atë njerëzor. Jeni ju që do të duhet të vendosni për kohën tuaj, ritmin tuaj të studimit dhe interesat personale për t’u zhvilluar.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU), pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), ofron prej dekadash me shumë sukses, programe studimi të cilat lidhen ngushtë me nevojat e vendit dhe me tregun e punës. Mjedisi ynë akademik, për të rritur produktin kreativ të projektimit, ofron sot një itinerar didaktik, i cili tenton të miksojë sipas shembujve më të mirë ndërkombëtarë, fushat e lidhura me anën teknike e profesionale, me ato historike e konceptuale bashkëkohore. Synimi në të ardhmen do të fokusohet për një integrim më të mirë të shkencave humane e artistike me ato të formimit të përgjithshëm intelektual të studentëve tanë. FAU ka fatin të skremojë çdo vit ajkën e gjeneratave shqiptare, të cilët ndjekin të tre ciklet e studimit, Master të Integruar të Shkencave në profilet Arkitekturë dhe Urbanistikë, Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajni, Master Profesional në Restaurim e Monumentesh të Kulture si dhe ciklin e Doktoraturës. Kjo shkollë, për mënyrën si është organizuar, ofron mundësi të pafundme të zhvillimit akademik të arkitektit të ardhshëm, i cili pas studimeve do mund të rrugëtojë në mënyrë të pavarur, me aftësitë e nevojshme të fituara dhe me shpirtin kritik të formuar në kohë.
Gjithsesi, fokusi i përgatitjes akademike përcaktohet duke u nisur nga roli i arkitektit në shoqëri, i cili në ditët tona, kërkon formim me kompetenca inovative. Ato mund të jenë të fokusuara në fronte të ndryshme, duke filluar nga projektimi i një objekti të vogël, deri në plazmimin e një territori të madh, nga rijetëzimi i një qendre historike, deri tek rikualifikimi i një peizazhi dhe, nga projektimi i qëndrueshëm mjedisor, tek kalimet konceptuale të tipologjive të ndryshme arkitektonike. Për këtë, FAU modelin tradicional të tij, didaktik e akademik, të kolauduar në kohë mes gjeneratash, vazhdon e do të vazhdojë ta azhornojë me linjat inovative të kohës sonë.
Stafi i FAU, i përbërë nga eksponentë të talentuar të fushave të ndryshme të arkitekturës, urbanistikës, restaurimit dhe dizajnit, në qasjen akademike të atelieve dhe kurseve të ndryshme të projektimit, harmonizon dhe artikulon koncepte bashkëkohore mësimi mbi historinë, arkitekturën, artin, filozofinë dhe sociologjinë. Duke i dhënë rëndësi të madhe raportit human e profesional me arkitektët e së ardhmes, ky staf u përcjell atyre kulturën arkitektonike me një kënd të gjerë vështrimi, të kthjellët, kritike dhe të azhornuar me kohën; një kulturë sensibël mbi të trashëgiminë arkitektonike por dhe të hapur e guximtare ndaj të resë.

Prof. As. Dr. Armand Vokshi