doktoratura

Programi i studimit të Doktoraturës pajis kandidatët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme në mënyrë që të mund të kryejnë punë kërkimore të kualifikuar në universitete, institucione publike dhe organizata private; duke zhvilluar më tej progresin shkencor dhe teknologjik dhe duke krijuar një klasë udhëheqëse me nivel të lartë profesional.

Qëllimi i studimeve të ciklit të tretë është të thellojë njohuritë bazë formuese të arkitekteve dhe urbanistëve, duke synuar përgatitjen teorike dhe shkencore.

Puna studimore në ciklin e tretë synon që studenti i doktoraturës në mënyrë individuale të hulumtojë dhe pasurojë sfondin teorik (state of the art) në një fushë specifike, duke thelluar përgatitjen shkencore për të lejuar zhvillimin e kapaciteteve dhe zgjerimin e njohurive në disiplinat e Arkitekturës dhe Urbanistikës të cilat janë në një evolim të vazhdueshëm.

Objektivi i punës kërkimore është që studenti të mund të formuloje hipoteza dhe ti eksplorojë ato duke përdorur një metodologji shkencore, si dhe të jetë i aftë të përfundojë punimin shkencor të tezës së doktoraturës, që i jep të drejtën për të kërkuar gradën “Doktor”, pasi ka zhvilluar kapacitetet laboratorike, ka thelluar njohuritë në temën specifike, si dhe ka prodhuar risi në një fushë të caktuar.

Pjesa teorike e këtij programi studimi realizohet në një cikël 1-vjeçar me kohë të plotë me 60 ECTS. Pas shlyerjes së detyrimeve të vitit të parë të studimeve, kandidatët janë të gatshëm të zhvillojnë në mënyrë të pavarur kërkimin shkencor për dy vitet në vijim. Puna e tyre zhvillohet nën përgjegjësinë e udhëheqësit shkencor dhe paraqitet në disa faza në fakultet. Gjatë vitit të dytë të programit, përvec fillimit të përgatitjes së dizertacionit, kandidati merr pjesë aktive në konferenca dhe aktivitete shkencore, të cilat i shërbejnë atij në kuadër të thellimit të njohurive në fushën respektive të dizertacionit. Gjatë vitit të tretë kandidati në programin e Doktoraturës do t’i përkushtohet shkrimit dhe prezantimit përfundimtar të dizertacionit.

Në fund të kësaj periudhe, pas përmbushjes të të gjitha detyrimeve përkatëse, kandidatët duhet të mbrojnë dizertacion dhe më pas iu akordohet grada “Doktor”.

Formimi i thelluar teorik

Programi i kursit teorik të ciklit të tretë përmban 60 kredite dhe organizohet në një vit akademik. Njohuritë e marra gjatë këtij viti shërbejnë në thellimin e dijeve specifike në fushat përkatëse të interesit për çdo kandidat si dhe krijojnë mundësinë e hulumtimit teorik dhe shkencor për të mbërritur në propozimin e temës së studimit. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, kandidatët njihen dhe përballen me metodologjitë e kërkimit shkencor dhe kryejnë punë kërkimore individuale dhe në grup.

Programi është i organizuar në katër module studimore të cilat zhvillohen dy për çdo semestër:

  • Historia e arkitekturës dhe urbanistikës bashkëkohore
  • Teknologjia e arkitekturës moderne
  • Projektimi arkitektonik
  • Urbanistika

Çdo modul përbëhet nga 3-4 lëndë. Mësimdhënia organizohet në trajtë leksionesh, seminaresh, workshopesh, tutorialesh etj.

Hartimi i këtij programi është kryer në bashkëpunim me Ecole Nationale Supérieure d’Architecture de Versailles – Francë, Ecole Speciale des Travaux Publics – Francë, Universita degli Studi di Firenze – Itali,  Politecnico di Bari – Itali.

Mësimdhënia kryhet nga 12 profesorë të universiteteve partnere si dhe 4 profesorë të UPT.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është vendosja e standardeve të cilësisë dhe forcimi i lidershipit të FAU në kerkim shkencor jo vetëm në rang vendi, por edhe më gjerë.

Aktualisht në nivel kombëtar, ky program studimor është më i madhi për nga numri i studentëve dhe më i kërkuari në fushën përkatëse.