Master Shkencor në Arkitekturë – Profili Arkitekt (5 vjeçar i integruar)

Layout2

Cikli i studimeve Master Shkencor në Arkitekturë – Profili Arkitekt ka si objektiv t’u sigurojë studentëve njohuri shkencore në fushat e arkitekturës dhe urbanistikës si dhe zotërimin e njohurive të thelluara profesionale specifike në disiplina të lidhura me to.  Ky program studimi realizohet në një cikël të integruar 5-vjeçar me 300 ECTS. Cikli studimor është i hartuar me një bazë të përbashkët trevjeçare, e cila mundëson specializimin në dy vitet e fundit në profilin Arkitekt dhe Urbanist.

Programi i studimit synon në arritjen e niveleve të larta profesionale dhe shkencore në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me projektimin arkitektonik dhe urban. Për arritjen e këtij objektivi, studenti pajiset me njohuri të projektimit të tipologjive të objekteve kryesore, që përbëjnë vendbanimet njerëzore, si dhe njohuri të projektimit, planifikimit dhe menaxhimit të zonave urbane.

Në profilin arkitekt merren njohuri lidhur me përdorimin e metodologjive në projektimin arkitektonik dhe urbanistik, duke filluar që nga formulimi e deri tek zbatimi i tyre.

Bashkërendimi i zgjidhjes arkitektonike bashkëkohore me sistemet konstruktive dhe me teknologjinë dhe materialet ndërtimore janë një aspekt tjetër i objektivave të këtij programi studimi. Gjithashtu, i rëndësishëm është fakti i njohjes së aspekteve dhe problemeve inxhinierike në ndërtesa. Studentit i jepet mundësia të njihet me menaxhimin e procesit të ndërtimit duke filluar nga hartimi i projektit, formulimi i dokumentacionit, etika e zbatimit të kuadrit ligjor, problemet e kantierit dhe sigurisë si dhe njohja me të gjitha fazat e punës deri në dorëzimin e objektit.

Në nivel kombëtar, ky program studimor është më i madhi për nga numri i studentëve dhe më i kërkuari në fushën përkatëse.